Greqia do të përfshihet nga një mot i keq, me reshje të dendura shiu dhe stuhi, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik Helenik (HNMS), priten fenomene të rënda lokale në Jon, Epir, Greqinë Kontinentale Perëndimore dhe Peloponezin veriperëndimor.
Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masat e nevojshme vetëmbrojtëse për të shmangur rreziqet.
Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka informuar të gjitha shërbimet shtetërore, rajonet dhe bashkitë përkatëse, duke i vendosur ato në gatishmëri për t’u përballur me çdo ndikim të motit.
Përveç kësaj, Shërbimi i Zjarrfikësve ka aktivizuar planin operativ për reagimin ndaj përmbytjeve, ndërsa njësitë në zonat e prekura janë në gatishmëri të shtuar. GSCP këshillon qytetarët që të sigurojnë objektet me rëndësi dhe të mos dalin nga shtëpia, veçanërisht në zonat ku parashikohen reshje të dendura, stuhi ose erëra të forta.


