Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj reperit Buta, emri i vërtetë i të cilit është Betim Januzi, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Ferizaj.
Sipas autoriteteve, rasti lidhet me një përleshje mes dy personave që ka përshkallëzuar deri në përdorimin e një arme të ftohtë dhe një arme zjarri, duke rrezikuar jetën e të përfshirëve dhe personave përreth. Pas shqyrtimit të provave dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprave penale dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e paraburgimit.
Në njoftimin zyrtar thuhet: “Ferizaj, 13 prill 2026 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 1; dhe B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1; dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”
Më tej, gjykata sqaron rrethanat e ngjarjes: “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli, ka vlerësuar se ndaj të pandehurit E.H., ekziston dyshimi i bazuar se më 11 prill 2026, rreth orës 20:15, në një rrugë në Ferizaj, pas një fjalosjeje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit B.J., duke e sulmuar me thikë dhe duke i shkaktuar plagë në dorë dhe dëmtime të tjera trupore.”
Ndërsa për reperin Buta, njoftimi vijon: “Ndaj të pandehurit B.J., ekziston dyshimi i bazuar se në të njëjtën kohë dhe vend, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, pasi gjatë përleshjes ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shkrepur dy herë në drejtim të tokës, ndërsa arma më pas i ka rënë në tokë gjatë konfliktit. Gjithashtu, ekziston dyshimi se ai ka poseduar armë pa leje, në kundërshtim me ligjin në fuqi.”
Në përfundim, gjykata thekson se kërkesa e prokurorit është vlerësuar si e bazuar dhe të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit për një periudhë prej një muaji, ndërsa ankesa ndaj këtij vendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.


