Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka shprehur sot Ankarasë dëshirën për një partneritet më të ngushtë dhe për thellimin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Turqisë, duke theksuar mbështetjen e Berlinit për rifillimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
“Si gjermanë dhe si evropianë, duhet të forcojmë partneritetet tona strategjike – dhe nuk ka mënyrë tjetër përveç një partneriteti të fortë e të thellë me Turqinë,” deklaroi Merz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara.
Ai theksoi se është koha që të dy vendet të shfrytëzojnë potencialin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe në muajt dhe vitet e ardhshme. Kancelari gjerman nisi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi, me qëllim rindërtimin e lidhjeve që kanë qenë të tendosura për vite me radhë.
Merz përshkroi marrëdhëniet gjermano-turke si “të thella dhe gjithëpërfshirëse”, duke përmendur kontributin e madh të komunitetit turk në Gjermani që prej dekadash. Ai u zotua të mbështesë përpjekjet e Turqisë për integrimin evropian, por paralajmëroi se përparimi varet nga respektimi i standardeve demokratike dhe forcimi i shtetit të së drejtës.
“Ka pasur vendime në Turqi që ende nuk përmbushin plotësisht kriteret e Kopenhagës. Ne jemi në dialog për këtë,” tha Merz, duke nënvizuar nevojën për reforma të mëtejshme.
Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoglu. Edhe pse Merz nuk e përmendi rastin drejtpërdrejt, ai tha se kishte ngritur shqetësimet e tij për pavarësinë e gjyqësorit dhe respektimin e shtetit të së drejtës gjatë bisedimeve me presidentin Erdogan.


