Gjermania ka dënuar me forcë sulmin terrorist në Sidney, Australi, ku gjatë festës së Hanukkah u vranë të paktën 12 persona dhe 29 të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi në plazhin Bondi, ndërsa komuniteti hebre festonte një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare të vitit.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi sulmin si “tronditës” dhe tha se mbeti “pa fjalë” përballë aktit terrorist. Në një postim në “X”, ai theksoi:
“Sulmi antisemit në plazhin Bondi gjatë Hanukkah më lë pa fjalë. Ky është një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta. Duhet t’i japim fund këtij antisemitizmi – këtu në Gjermani dhe në mbarë botën.”
Edhe Komisioneri i qeverisë gjermane për antisemitizmin, Felix Klein, bëri thirrje që të mos dekurajohemi nga akte të tilla. Ai nënvizoi se:
“Është e rëndësishme që të mos lejojmë veten të frikësohemi nga terrorizmi dhe urrejtja – as në Hanukkah dhe as në tregjet e Krishtlindjeve.”
Klein theksoi gjithashtu nevojën për një mbrojtje vendimtare të komunitetit hebre, duke i bërë thirrje shoqërisë dhe institucioneve që të reagojnë me vendosmëri kundër antisemitizmit.


