TIRANË– Këtë të mërkurë mbahet seanca e radhës gjyqësore për çështjen “Gërdeci” për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pritet që seanca të nisë në orën 09:00.
Deri më tani janë zhvilluar 6 seanca, të cilat janë shtyrë, ndërsa seanca e fundit ishte më 17 korrik e cila është shtyrë për sot datë 31 Korrik 2024.
Fatmir Mediu po hetohet për shpërdorim detyre për tragjedinë ku humbën jetën 26 persona në Gërdec.
Po me 17 Korrik pasi seanca u shty, Mediu ka theksuar se përgjegjësitë e veta për tragjedinë i ka marrë. Për Mediun, gjyqi ndaj tij ngjan me gjyqet popullore të kohës së diktaturës.
“Unë do të jem në debat për atë që po ndodh. Gjyqi është i paligjshëm dhe absurd, se nuk ka akuzë. Nuk mund të akuzosh ministrin e Mbrojtjes, se përse ka zgjedhur një kompani ose për disa procedura të tjera që nuk janë përgjegjësi e tij, kjo është tejkalim i proceseve juridike. Unë nuk jam në akuzë për Gërdecin, jam në akuzë për shpërdorim detyre.Kjo që po bëhet për Gërdecin është që të bëhet çështja sa më e ndjeshme, për shkak të pasojës që ka pasur. Në raport me çështjen, është shpërdorim detyre. Ligji për ministrin është Kushtetuta, nuk është rregullorja e financës, janë akuza absurde Unë dhashë dorëheqjen për Gërdecin.”- tha ai.


