Futbollisti i Oldham Athletic, Kian Harratt, është përfshirë në një incident të dhunshëm në Ibiza, ku është filmuar duke hedhur një karrige në drejtim të një gruaje, e cila përfundon e rrëzuar në tokë pasi goditet në fytyrë. Ngjarja ndodhi pranë një pishine në hotelin Marco Polo, në zonën turistike të San Antonio.
Sipas dëshmive të pushuesve britanikë të pranishëm, konflikti nisi pas sjelljeve provokuese nga grupi i Harratt, që përfshinin ofendime dhe spërkatje ndaj të tjerëve. Kur situata doli jashtë kontrollit, lojtari dhe miqtë e tij filluan të hidhnin karrige, duke plagosur një grua që përpiqej të ndalonte përplasjen.
Videoja e ngjarjes është bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar indinjatë të gjerë. Tifozët e Oldham kanë reaguar ashpër, duke kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të futbollistit nga ekipi. “S’ka vend për këtë sjellje – turp për të dhe për klubin,” shkruajnë komentuesit.
Ngjarja ndodh vetëm tri javë pasi Harratt u bë hero për ekipin e tij, duke shënuar golin vendimtar në finalen e play-off-it në Wembley. Nëna e tij konfirmoi incidentin për mediat, ndërsa vetë lojtari ndodhet ende në Ibiza dhe pritet të kthehet së shpejti në Angli. Klubi Oldham Athletic nuk ka reaguar ende zyrtarisht.


