Argjentina është finalistja e dytë e Kupës së Botës, pas një gjysmëfinaleje dramatike ndaj Anglisë në Atlanta, ku kampionët në fuqi triumfuan me përmbysje 2-1.
“Tre Luanët” e nisën më mirë pjesën e dytë dhe kaluan të parët në avantazh, por Argjentina reagoi fuqishëm në minutat e fundit dhe përmbysi gjithçka për të siguruar një tjetër finale botërore.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse Argjentina ishte skuadra më kërkuese. Enzo Fernandez provoi me një goditje nga distanca, ndërsa Anglia u përpoq të rrezikonte me kundërsulme, por asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente rrugën drejt rrjetës.
Në minutën e 55-të, Anglia kaloi në avantazh. Morgan Rogers dërgoi një top në zonë, ndërsa Anthony Gordon u shkëput nga mbrojtja argjentinase dhe goditi saktë duke mposhtur portierin për rezultatin 1-0.
Pas golit të pësuar, Argjentina rriti ndjeshëm presionin dhe kërkoi me ngulm barazimin. Alexis Mac Allister ishte shumë pranë golit, fillimisht duke goditur shtyllën me kokë dhe më pas duke u ndalur nga Jordan Pickford. Edhe Nico Gonzalez pati një mundësi të mirë, por portieri anglez mbajti skuadrën e tij në lojë.
Barazimi erdhi në minutën e 85-të. Enzo Fernandez lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer shpresat e Argjentinës.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Lionel Messi tregoi edhe një herë klasin e tij. Në minutën e 90+2, kapiteni argjentinas dhuroi një asist perfekt në zonë, ku Lautaro Martinez u shfaq i saktë me kokë për të përmbysur rezultatin në 2-1.
Me këtë fitore, Argjentina siguron një tjetër finale të Kupës së Botës dhe tani do të përballet me Spanjën, e cila eliminoi Francën në gjysmëfinalen tjetër.
Për Anglinë vazhdon pritja për trofeun e dytë botëror, ndërsa për Argjentinën kjo është një tjetër mundësi për të mbrojtur kurorën e kampionit.
Angli – Argjentinë 1-2
⚽ Gordon 55’
⚽ Enzo Fernandez 85’
⚽ Lautaro Martinez 90+2’


