Shkodra u mbush sot me atmosferë festive në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë, ku në qendër të festimeve ishte “Sofra e Pavarësisë”, një event tradicional që mbledh figura të rëndësishme kulturore e politike. E pranishme në ceremoni ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u mirëprit nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Në një atmosferë kuqezi dhe mes brohorimave festive, Osmani dhe Spiropali u bashkuan me qytetarët në valles tradicionale, duke dhënë një mesazh simbolik bashkimi dhe gëzimi mbarëkombëtar.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi rolin historik të Shkodrës si qendër e qëndresës dhe identitetit kombëtar:
“Sot më shumë se kurrë, Shkodra qëndron e palëkundur si një simbol i pathyeshëm i unitetit dhe bashkimit kombëtar.”

Ajo i drejtoi një mesazh të veçantë Presidentes Osmani, duke e cilësuar jo thjesht mike, por pjesë të shtëpisë:
“Sofra e shqiptarit i përket mikut. Por ju, e nderuar Vjosë, këtu nuk jeni mysafire. Si të gjithë bashkëkombasit tuaj, jeni në shtëpinë tuaj.”

Eventi mblodhi personalitete të shumta të jetës publike, përfshirë edhe këngëtaren e njohur Shkurte Fejza, duke e kthyer ceremoninë në një festë të plotë të kulturës dhe identitetit shqiptar.


