Të gjithë menduan se fantazisti kishte një shqetësim nisur nga lëndimi që pësoi ditën e mërkurë. Por, në pjesën e dytë të seancës, burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se Muçi i është bashkuar grupit dhe u stërvit normalisht.
Pasi iu bënë vlerësimet e duhura nga stafi mjekësor, Muçi nuk ka pasur asgjë serioze dhe do të jetë gati për ndeshjen kundër Çekisë, që Kombëtarja do të luajë mbrëmjen e nesërme në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45. Një lajm i mirë ky për Silvinjon që edhe pse nuk e ka në plane si titullar, Muçi mund të marrë minuta më shumë sesa në ndeshjet e kaluara. Diçka e tillë edhe për faktin se sulmuesi po kalon një formë shumë të mirë në ndeshjet e fundit me klubin e tij.
STËRVITJA
Grija e motit nuk ndikoi aspak te skuadra sepse me një atmosferë pozitive nisi seanca e djeshme stërvitore. Silvinjo ishte në humor dhe që në fillim vijon me batuta në shqip me personelin e bazës materiale dhe të ambienteve të stërvitjes. Duke i kërkuar diçka me ngulm, trajneri i thotë: “Hajde, shpejt qeros”. Fjalë të tilla që dalin nga goja e Silvinjos, shkaktojnë të qeshura në të gjithë ekipin. Pas një rreshtimi në formë rrethi në mesin e fushës, futbollistët nisin kuadratin me një prekje dhe cilido humbiste topin, do të futej në mes. Objektivi ishte i qartë, arritja e 30 pasimeve pa e prekur asnjëherë topin 3 lojtarët që ishin brenda. U arrit disa herë, por brenda nuk u kursye edhe trajneri Silvinjo. Ndërkohë nga ana tjetër, trajneri Bozhiqi punon me portierët. Në pjesën e dytë të seancës, ku me grupin u bashkua edhe Ernest Muçi, trajneri punoi me situata lojë dhe daljet që ekipi duhet të bëjë gjatë ndeshjes. Duke qenë se kundërshtarët e parë kanë një lojë të fortë në ajër, stafi teknik punoi me krosime në lartësi, si me mbrojtësit dhe me sulmuesit që duhet të shënonin. Në fund edhe disa goditje për të perfeksionuar shënjestrën për ndeshjen që luhet vetëm nesër.
FORMACIONI
Silvinjo tashmë i ka vënë piketat në vendin e duhur. Nga ajo që shihet gjatë seancave stërvitore, por edhe nga menaxhimi dhe vlerësimi që ka për lojtarë të caktuar, trajneri nuk mendohet të bëjë rotacion apo ndryshime nga ndeshja me Gjeorgjinë. Siç është edhe shprehja që formacioni fitues nuk ndryshohet, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe nesër. Në portë Strakosha dhe në mbrojtje: Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj. Në mesfushë: Asllani, Ramadani, Laçi. Ndërkohë përpara pritet të vendoset Asani, Bajrami dhe Tuci.



