Në tregun valutor vendas, këtë të mërkurë euro ka shënuar një rritje të lehtë në raport me lekun shqiptar, ndërsa dollari amerikan ka pësuar rënie. Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro këmbehet me 98,56 lekë, 0,27 lekë më shumë se një ditë më parë, ndërsa dollari amerikan ra me 0,87 lekë, duke u kuotuar në 87,60 lekë.
Ndërkohë, paundi britanik është rritur lehtë me 0,04 lekë, duke arritur në 116,97 lekë. Franga zvicerane ka rënë me 0,06 lekë dhe aktualisht këmbehet me 105,15 lekë.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe fushata nuk kanë sjellë ndikim të ndjeshëm në kursin e këmbimit. Megjithatë, ata parashikojnë se efektet më të mëdha në treg do të ndihen me fillimin e sezonit turistik, kur pritet të rritet fluksi i turistëve dhe oferta e valutës, çka do të përforcojë më tej pozitat e lekut.


