Numri i personave të infektuar me Ethet e Nilit Perëndimor të konfirmuar në laboratorin e ISHP në vendin tonë, ka mbërritur në 58.
Por pavarësisht kësaj, situata po mbahet në monitorim nga Instituti i Shëndetit publik, ku mbërrijnë çdo ditë teste të marra nga pacientët e dyshuar si të infektuar nëpër rrethe.
Burimet thonë që ka një rënie të numrit të pacientëve me këtë problematikë. Kurbini, Fieri dhe Lushnja janë rrethe ku ka pasur më shumë raste të infektuar me Ethet e Nilit, por në këtë zona tanimë është bërë dezinsektimi për të luftuar mushkonjat që transmetojnë sëmundjen e Etheve të Nilit nga zogjtë e infektuar tek njeriu.
Instituti i Shëndetit publik në bashkëpunim me bashkitë ku janë evidentuar përhapja e mushkonjave të kësaj sëmundjeje, por edhe në Tiranë janë duke bërë dezinsektim me qëllim frenimin e përhapjes së kësaj sëmundje e cila shkakton humbje jete.
ISHP u kërkon të gjithë bashkive në vend të bëjnë dezinsektimin e territorit që administrojnë.
Që nga shfaqja e kësaj sëmundjeje Instituti i shëndetit publik ka raportuar tre humbje jete. Por në 80 % të rasteve kjo sëmundje nuk shfaq shenja ndërkohë që vetëm në 1 % e rasteve të prekur mund të shfaqin sëmundje të rënda të sistemit nervor siç janë meningiti apo encefaliti, pjesa tjetër shfaq temperaturë, dhimbje koke, të vjella apo dobësi muskulore simptoma të ngjashme me ato të një gripi.


