Endrit Shabani ka marrë sot zyrtarisht detyrën e Avokatit të Popullit, pas betimit të zhvilluar një ditë më parë në Kuvend. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për një mandat 5-vjeçar.
Prezantimi zyrtar i Avokatit të ri të Popullit u bë përpara komisionerëve, administratës dhe stafit të institucionit nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj.
Shabani pason në këtë detyrë Erinda Ballancën, e cila drejtoi institucionin për tetë vite dhe vijoi ushtrimin e funksionit edhe pas përfundimit të afatit kushtetues.
Ai u zgjodh Avokat i Popullit në seancën plenare të 11 dhjetorit 2025, me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Kandidatura e tij ishte propozuar fillimisht nga deputetë të opozitës, të cilët më pas u tërhoqën nga mbështetja.
Mazhoranca nuk e pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për tërheqjen e firmave, duke bërë që Endrit Shabani të zgjidhet në këtë post me votat e shumicës parlamentare.


