Një ngjarje tragjike është regjistruar në zonën e Zallë-Kalis, në Njësinë Administrative Sllovë të Bashkisë Peshkopi, ku një 67-vjeçar ka humbur jetën në rrethana të rënda.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari dyshohet se është tërhequr zvarrë nga kali për rreth 500 metra, në një terren malor të thyer me gurë dhe drunj. Si pasojë e dëmtimeve të rënda trupore, ai ka ndërruar jetë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet mjekësore të spitalit të Peshkopisë, por fatkeqësisht viktima është konstatuar pa shenja jete.
Trupi i pajetë është transportuar drejt Tiranës për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa policia po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.


