Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së mërkurës në fshatin Grabovë të Përmetit, ku dy punëtorë mbetën të plagosur pas shpërthimit të një mjeti shpërthyes, që dyshohet të jetë i mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas informacioneve paraprake, dy punëtorët po kryenin punime rikonstruksioni në një banesë të vjetër në pronësi të 68-vjeçarit Koço Zyba, kur ndodhi shpërthimi.
Të plagosur kanë mbetur Mustafa Koçi, 53 vjeç, dhe Ervis Bregu, rreth 38 vjeç, të dy banues në Përmet. Burime spitalore bëjnë me dije se Koçi ka pësuar dëmtime të lehta në dorë, kryesisht djegie, ndërsa Bregu ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Policia njoftoi se rreth orës 13:00 të dy të dëmtuarit janë transportuar fillimisht në Spitalin e Përmetit për ndihmën e parë mjekësore. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata janë lënduar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme, e dyshuar si bombë e vjetër, e cila ndodhej në murin e banesës ku po kryheshin punimet.
Për shkak të natyrës së dëmtimeve, të plagosurit janë dërguar më pas për trajtim të specializuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar shkakun e saktë të shpërthimit.


