Dy ngjarje të rënda janë shënuar këtë të diel në lumenjtë e Shqipërisë, ku janë gjetur trupat e pajetë të dy të moshuarve.
Rreth orës 14:30, në fshatin Muriqan të Shkodrës, u gjet trupi i pajetë i Spiro Gjokës, 70 vjeç, banues në Tiranë. Ai u gjet në ujërat e lumit Buna. Nga këqyrja paraprake e trupit, policia bën me dije se nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të dukshme, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, pak më herët gjatë ditës, një tjetër trup i pajetë është zbuluar në lumin Shkumbin, në qytetin e Elbasanit. Viktima është një mashkull i moshuar, por identiteti i tij ende nuk është përcaktuar. Edhe në këtë rast, dyshimet paraprake janë për mbytje aksidentale, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar nëse bëhet fjalë për ngjarje aksidentale apo ka rrethana të tjera të përfshira.


