Policia e Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, ka goditur dy raste të tentativës për futjen kontrabandë të cigareve në territorin shqiptar.
Në rastin e parë, u arrestua në flagrancë një 34-vjeçar, pasi në automjetin e tij u gjetën 548 steka cigare pa pullë fiskale dhe pa dokumentacion shoqërues. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia sekuestroi gjithashtu edhe një armë zjarri automatike tip AK-47.
Në rastin e dytë, gjatë kontrolleve në një traget, u zbuluan dhe u sekuestruan 250 steka cigare të fshehura në ambientet e hotelerisë së mjetit lundrues. Për këtë rast, është proceduar penalisht përgjegjësi i hotelerisë së tragetit.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në rrjetin e kontrabandës.


