Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi për Komisionin e Ligjeve se nuk do të rikandidojë pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar si prokuror i posaçëm.
Megjithatë, ai ngriti shqetësime për funksionimin e institucionit, pasi brenda vitit 2028, 11 prokurorëve të SPAK do t’u mbarojë mandati, gjë që mund të krijojë një boshllëk të madh dhe vështirësi në ndjekjen e çështjeve komplekse që këta prokurorë po hetojnë prej vitesh.
Dumani theksoi se investimet e Bashkimit Europian, SHBA dhe shtetit shqiptar në trajnimin dhe pavarësinë e trupës janë të mëdha, ndaj është thelbësore që prokurorëve t’u jepet mundësia të rikandidojnë pas përfundimit të mandatit. Ai saktësoi se ky qëndrim nuk lidhet me interesin e tij personal, por ruajtjen e funksionimit profesional të SPAK.
Kreu i SPAK paralajmëroi se pa këtë mundësi, hetimet e çështjeve të mëdha mund të cenohen dhe institucionit mund t’i mungojnë burime të specializuara për të trajtuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.


