Dokumentet e fundit të publikuara nga dosja e Jeffrey Epstein zbulojnë se ai kishte interes për blerjen e një anijeje ushtarake kroate, konkretisht modelin Olimp M-46, në vitin 2014.
Sipas materialeve të bëra publike, lidhja mes Epstein dhe palëve të përfshira në këtë transaksion ishte Boris Nikoliq, një mjek nga Kroacia, i cili në atë kohë punonte për themeluesin e Microsoft, Bill Gates. Lajmi raportohet nga klix.ba dhe është përcjellë nga Telegrafi.
Në komunikimet elektronike, Nikoliq e lidhi Epstein me Zoran Kovaq, i cili iu prezantua atij si një person që merrej me shitblerjen e anijeve. Kovaq është ndërtues dhe drejtor i kompanisë Sigma Stan, e njohur për ndërtimin e objekteve luksoze rezidenciale, përfshirë edhe në Zagreb.
Dosjet përfshijnë edhe një fletë informacioni mbi anijen ushtarake Olimp M-46, e cila i ishte ofruar Epstein si një alternativë më e përshtatshme ndaj anijes që ai po kërkonte fillimisht. Anija ishte projektuar në Institutin e Ndërtimit të Anijeve në Zagreb.
Megjithëse dokumentet nuk e sqarojnë qartë se kush ishte shitësi zyrtar, Kovaq përmend në disa email-e se bëhej fjalë për një “rreth të mbyllur njerëzish”. Kur u identifikua anija pesëvjeçare që Epstein dëshironte të blinte, u theksua se ajo “nuk ishte në shitje për përdorim civil”, por se mund të bëhej një përjashtim, pasi blerësi ishte shtetas amerikan.
Në komunikimet e mëvonshme, Epstein kërkoi informacione shtesë mbi anijen, ndërsa Kovaq e nxiti të vepronte shpejt, duke përmendur interes edhe nga ushtria greke. Në një nga email-et, Kovaq shkruan se “ushtarakët po telefonojnë”, duke lënë të kuptohet se procesi i shitjes po avanconte.
Sipas dokumenteve, anija u dërgua drejt ishullit St. Thomas, në afërsi të ishullit privat në pronësi të Epstein. Megjithatë, në këtë fazë lindën komplikime, pasi në transaksion u përfshi edhe një kompani zvicerane e paidentifikuar, gjë që ngriti pikëpyetje për kostot shtesë të blerjes.
Në një email të gjatë, Kovaq i kërkoi Epstein konfirmim përfundimtar për blerjen, duke theksuar se nuk kishte qartësi mbi shpenzimet shtesë që mund të lindnin. Epstein iu përgjigj duke thënë se kishte “harruar gjithçka”, dhe pas kësaj, blerja e anijes nuk përmendet më në dokumentet e publikuara.


