Një përplasje e ashpër politike dhe personale ka dalë në dritë brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas publikimit të një audio-kërcënimi tronditës ndaj një prej figurave kryesore të tij, Endrit Shabanit.
Shkak i konfliktit është bërë kërkesa e Zeqir Kordhonit, daja i Shabanit, për të marrë mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni në Qarkun e Tiranës, megjithëse renditej i 9-ti në listë. Përpjekja për të hyrë në Kuvend ka shkaktuar tensione të mëdha, duke nxitur një zinxhir dorëheqjesh të tërhequra nga kandidatë më lart në listë dhe duke prodhuar akuza për “pabesi” ndaj Shabanit.
Në audion e publikuar nga emisioni “Piranjat”, një person që prezantohet si aktivist i Adriatik Lapajt, lëshon kërcënime serioze, ofendime të rënda dhe gjuhë të papranueshme ndaj Shabanit dhe familjarëve të tij. Ai shprehet se Shabani ka “tradhtuar” dhe se do ta “paguajë rëndë”, ndërsa kërcënon hapur edhe ndaj dajës së tij:
“Do ta paguajë shtrenjtë… do t’i q***… do shihemi së shpejti!”
Kjo duket të jetë ajo që Endrit Shabani ka nënkuptuar në një deklaratë të mëparshme në rrjetet sociale, ku foli për kërcënime të drejtpërdrejta që i janë bërë pas zgjedhjeve.
Ndërkohë, përplasja ka vënë në pikëpyetje kohezionin dhe seriozitetin e strukturave brenda koalicionit, duke rrezikuar jo vetëm unitetin e brendshëm por edhe kredibilitetin publik të një lëvizjeje që pretendonte të sillte ndryshim përmes transparencës dhe meritokracisë.
Reagimi i Adriatik Lapajt për incidentin ende nuk është bërë publik, por presioni mediatik dhe reagimi qytetar pritet të rritet ndaj një ngjarjeje ku gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet fizike po marrin vendin e debatit politik.


