Një audio kërcënuese ndaj kryetarit të “Nisma Thurje”, Endri Shabani, ka qarkulluar në rrjet, e dërguar përmes WhatsApp nga një numër me prefiks të Torontos, Kanada. Mesazhi përmban gjuhë fyese dhe kërcënime të rënda, përfshirë fjalë vulgare dhe nënkuptime për një “hakmarrje” ndaj tij dhe të afërmve të tij.
Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar partia “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj, duke u distancuar qartë nga çdo formë gjuhe të dhunshme apo kërcënuese. Në deklaratën publike, theksohet se këto qëndrime bien ndesh me vlerat që përfaqëson lëvizja dhe i bëhet thirrje çdo simpatizanti të saj të mos bien pre e gjuhës së urrejtjes.
Sa i përket debatit të fundit mbi mandatin parlamentar dhe përplasjes mes ish-bashkëkryetarëve të koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet”, partia e Lapaj shprehet se po kërkon respektimin e marrëveshjes parazgjedhore dhe mbajtjen e fjalës së dhënë para qytetarëve.
“Për ne, gara e ndershme dhe meritokracia janë shtyllat kryesore që frymëzuan mijëra qytetarë të na besojnë. Ne nuk do të tërhiqemi nga këto parime, pavarësisht shantazheve apo prapaskenave brenda apo jashtë sistemit,” thuhet në deklaratë.
Në fund, lëvizja i bën thirrje Shabanit dhe bashkëpunëtorëve të tij të reflektojnë dhe të ulen në një tryezë për zgjidhje të përbashkët, në shërbim të votuesve dhe të angazhimit për zgjedhjet vendore që vijnë.


