Në kohën kur një gjyqtar paraprak do të vendosë mbi hetimet ndaj të miturit që vrau bashkëmoshatarin Martin Cani, prokuroria po kërkon në një hetim të veçuar se kush prej stafit shkollor shpërdoroi detyrën duke mos e konsideruar konfliktin mes nxënësve.
Siç bëjnë me dije burime pranë grupit të hetimit është marrë dëshmia e oficeres së sigurisë me inicialet J. K e cila e ushtronte këtë detyrë në shkollën “Fan Noli’ prej një viti e gjysëm.
Dëshmitarja tregon se menjëherë mbasi u informua për konfliktin mes nxënësve, ka njoftuar drejtoreshën e shkollës “Fan Noli”, mësuesen kujdestare dhe psikologen.
Burimet e Top Channel citojnë se oficerja kishte mësuar për sherrin mes Mario Përlleshaj autori i arrestuar dhe viktimës Martin Cani nga një mësuese që dëgjoi tonet e larta mes tyre dhe sharjet për mamatë.
“Shkova në tualet dhe vura re që nxënësit nuk ishin atje. Më pas thirra Martin Canin që më tha se kur kishte hyrë në këto ambiente kishte sharë kot dhe se shtetasi Mario Përlleshaj e kishte marrë personale me të. Thirra Marion dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me të, të dy ishin të qetë me njëri-tjetrin”, shprehet oficerja për grupin e hetimit. Por mbas orës së 6 të mësimit ajo mori dijeni për krimin e ndodhur.
Shoku i Martinit, Luisi, që mbeti i plagosur gjithashtu përshkruhet nga dëshmitarët e tjerë të mitur se ishte personi i parë që qëlloi me grusht në gjoks Marion.
Luisi tregon se gjatë momenteve të sqarimit mes fëmijëve teksa po ecnin dëgjoi pyetjen “o çuna a dini ndonjë vend ku blihen buqeta me lule?”


