Janë publikuar detaje të reja nga dosja hetimore e Prokurorisë për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani. Veç dëshmive të nxënësve që u përfshinë në përleshje, prokuroria ka administruar edhe një pamje filmike, ku Mario Përlleshaj shfaqet duke u larguar me një send në dorë në dukje si thikë.
14-vjeçari i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese të fëmijës , shprehet në dëshminë që Top Channel e disponon se e njihte Martinin si një nxënës të klasë së 9 paralele.
“Nuk kam patur konflikt më parë. Atë ditë dola nga shkolla isha së bashku me shokun tim. Në atë moment më thirri Martini i cili ishte me dy apo me shokë persona që nuk i njihja. U ndava nga shoku im dhe u afrova tek Martini që më tha të shkoja me të të sqarohesha, pa më thënë çfarë. Ecëm përpara dhe shokët e tij na ndiqnin pas. Pasi ndaluam më goditën”, deklaron Mario, i cili këmbëngul se nuk mban mend të ketë përdorur thikë.
I akuzuari për vrasje Mario Përlleshaj, që ka kërkuar disa herë ndryshim mase, ka dorëzuar edhe dëftesën e notave ku rezulton me nota të mira, kërkesë që nuk është pranuar nga gjykata.
Mario Përlleshaj vazhdon të mbahet në burgun e të miturve mbasi siç thotë gjykata, vepra për të cilën dyshohet ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, është një krim për të cilin ligji parashikon dënimin jo më pak se njëzet vjet ose burgim të përjetshëm.


