Një 21-vjeçar austriak, i identifikuar si Beran A, është dënuar me 15 vite burg pasi pranoi se kishte planifikuar një sulm terrorist gjatë koncertit të Taylor Swift në Vjenë, në kuadër të turneut “Eras” në gusht të vitit 2024.
Sipas mediave austriake, i riu ka pranuar gjithashtu përfshirje në aktivitete të tjera të lidhura me terrorizmin, përfshirë një sulm në Mekë.
Procesi gjyqësor u zhvillua në Wiener Neustadt, ku Beran A deklaroi para gjykatës se ishte penduar për veprimet e tij. Juria u tërhoq për disa orë para se të shpallte vendimin përfundimtar.
Autoritetet austriake e arrestuan atë pak para koncertit të parë nga tre koncertet e planifikuara të Taylor Swift në stadiumin Ernst Happel Stadium, pas informacioneve të siguruara nga CIA.
Pas arrestimit, të tre koncertet e artistes amerikane në Austri u anuluan menjëherë, duke prekur afro 200 mijë fansa.
Prokurorët deklaruan se i riu ishte radikalizuar dhe kishte shprehur besnikëri ndaj Shteti Islamik. Sipas tyre, ai kishte tentuar të siguronte armë në mënyrë të paligjshme, përfshirë një mitraloz dhe një granatë dore, por nuk kishte arritur t’i blinte.
Psikiatri i gjykatës, Peter Hoffmann, deklaroi se 21-vjeçari nuk shfaqte probleme të shëndetit mendor dhe se nuk kishte “asnjë shpjegim psikiatrik” për radikalizimin e tij.
Në të njëjtin proces u përfshi edhe një tjetër 21-vjeçar nga Sllovakia, i identifikuar si Arda K, i dyshuar për lidhje me një qelizë të ISIS-it, por sipas autoriteteve ai nuk kishte lidhje direkte me komplotin ndaj koncertit të Taylor Swift.


