Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se marrëveshja e huasë prej 302 mln $ është dëshmi e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Ajo parashikon investime për mbrojtjen edhe në kuadër të angazhimit që Shqipëria ka ndaj NATO-s. Vendi ka 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për ta shlyer.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Shqipëria ka një angazhim të shtuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria mbështet objektivin e ri për të arritur objektivin 5% të NATO-s. Siguria dhe mbrojtja janë prioritete strategjike. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Financimi do të disbursohet gradualisht sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 vjet. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë”, tha Balla.


