Miliona njerëz do të përfitojnë një orë shtesë gjumë me kthimin e akrepave pas në orën standarde, por ekspertët paralajmërojnë se trupit i duhet pak kohë për t’u përshtatur. Ora dimërore filloi dje në orën 2:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri më 29 mars, kur rikthehet ora verore.
Ndërsa ndryshimi i pranverës shpesh është më i vështirë për shkak të humbjes së një ore gjumë, fundi i orës verore mund gjithashtu të ndikojë tek disa persona, për shkak të ditëve më të shkurtra dhe mungesës së dritës pas punës ose shkollës.
Studiuesit e “Stanford University” sugjerojnë që koha standarde permanente do të përputhej më mirë me ritmin natyror të trupit. Jamie Zeitzer, bashkëdrejtor i “Center for Sleep and Circadian Sciences”, shpjegon se ora qendrore është si dirigjenti i një orkestre, ndërsa organet e trupit janë instrumentet që duhet të përshtaten me të.
Roli i dritës:
Drita e mëngjesit ndihmon trupin të rregullojë orën biologjike, ndërsa ekspozimi ndaj dritës artificiale në mbrëmje vonon prodhimin e melatoninës dhe çon në çrregullim të ciklit të gjumit. Ky ritëm ndikon jo vetëm tek gjumi, por edhe tek presioni i gjakut, rrahjet e zemrës, hormonet e stresit dhe metabolizmi.
Si ndikojnë ndryshimet e kohës tek gjumi:
Edhe një ndryshim njëorësh mund të çrregullojë orarin e gjumit, sidomos për shkak të punës dhe shkollës që nuk përshtaten. Studimet tregojnë rritje të aksidenteve rrugore dhe incidenteve kardiake në ditët e para pas ndryshimit. Personat me depresion sezonale mund të përjetojnë vështirësi, por shumica përshtaten lehtë, si pas udhëtimeve me ndryshim kohe.
Si të përgatitemi:
Ndryshimi gradual i orarit të gjumit, edhe vetëm 15 minuta për natë para ndryshimit, ndihmon trupin të përshtatet. Ekspertët këshillojnë gjithashtu të kaloni sa më shumë kohë jashtë në mëngjes ose pranë dritareve, për të rivendosur ritmin biologjik.


