Ndalimi i automjeteve në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, parakalimet e gabuara dhe tejkalimi i shpejtësisë janë shkeljet që po hasen më shpesh në rrugët e Beratit. Gjatë kontrolleve të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me gjobë 254 drejtues për ndalim ose pushim të gabuar, 158 për parakalime të gabuara dhe 140 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Kontrollet kanë zbuluar edhe shkelje të tjera, ku 94 drejtues janë gjobitur për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 80 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, ndërsa 5 shoferë janë ndëshkuar administrativisht për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Gjithashtu, janë vendosur 246 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga kontrollet kanë përfunduar në ndjekje penale edhe 4 drejtues mjetesh. Dy prej tyre janë arrestuar pasi u kapën duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa dy të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje. Policia thotë se kontrollet janë zhvilluar me dron, radar dhe makina inteligjente dhe do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut.


