Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të ndërhyjë brenda këtij viti në skemën e naftës, me synimin për të rishikuar mënyrën e subvencionimit dhe për të vendosur një ekuilibër të ri të çmimeve për konsumatorët.
Gjatë fjalës përmbyllëse në ditën e parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Rama theksoi se çdo lek i hedhur nga buxheti duhet të kthehet në fitim për ekonominë, duke lënë pas politikën e thjeshtë të ndarjes së fondeve pa efikasitet të qartë.
“S’mund të jetë procesi vetëm hidh lekë dhe mblidh taksa. Duhet të rishikojmë skemën e naftës. Po përgatitemi për një ndërhyrje të re, ku qeveria do të jetë pjesë aktive e tregut dhe do të krijojë kushte të reja për importin, shpërndarjen dhe çmimin përfundimtar,” – tha Rama.
Ai la të kuptohet se qeveria do të luajë një rol garantues për aktorët privatë, duke u lehtësuar procedurat e importit dhe eksportit të naftës, ndërkohë që paralajmëroi ndërtimin e një procesi të ri bashkëpunimi publik-privat në këtë sektor.
Rama theksoi se në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), do të hartohet një dokument rekomandimesh përpara mbajtjes së një Kuvendi Kombëtar për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, i cili do të përcaktojë orientimin e politikave të reja në sektor.
“Ne duam të ndërtojmë një proces ku qeveria të mos jetë vetëm rregullatore, por pjesë aktive e zhvillimit dhe rritjes së të ardhurave për qytetarët,” – shtoi më tej ai.


