Një seri e re dokumentesh të deklasifikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë hedhin dritë mbi komunikimet mes financierit të ndjerë Jeffrey Epstein dhe një rekrutuesi modelesh, Daniel Siad, duke zbuluar mënyrën se si organizoheshin takime me vajza të reja në Europë dhe më gjerë.
“Në këtë rrëmujë ndihem si peshkatar, herë kap shpejt, herë pa peshk”, i shkruante Siad Epstein-it në korrik 2014, duke iu referuar kërkimit të vazhdueshëm për modele të reja. Në një tjetër mesazh, ai e ftonte: “Duhet të vish në Sllovaki, kam 45…”.
Emailet tregojnë një komunikim të shpeshtë, ku vajzat përmendeshin sipas kombësisë dhe moshës. Në një rast, Siad raportonte se kishte takuar vajza 16 dhe 17 vjeç, si dhe një 15-vjeçare nga Franca, prindërit e së cilës – sipas tij – ishin dakord që ajo të punonte si modele. “Ka miliona prej tyre atje jashtë”, shkruante ai.
Dokumentet sugjerojnë se industria e modelimit shërbente si një kanal i rëndësishëm për krijimin e kontakteve. Siad kishte lidhje me figura të njohura të botës së modës, përfshirë agjentin francez Jean-Luc Brunel, i cili në vitet 2000 themeloi agjencinë MC2 Model Management me mbështetje financiare nga Epstein. Brunel u gjet i vdekur në burg në vitin 2022, ndërsa priste gjyqin për akuza që ai i kishte mohuar.
Në shumë prej mesazheve, Epstein bënte pyetje të shkurtra: “Mosha?”, “Ndonjë lajm?”, “Po për vajzat e reja?”. Në një rast, pasi iu dërgua fotografia e një 19-vjeçareje, ai u përgjigj: “Jo shumë interesante”. Në një tjetër komunikim, kërkonte foto të plota dhe jepte komente mbi pamjen fizike të vajzave.
Siad ka deklaruar se takimet organizoheshin për përzgjedhje legjitime modelesh në Paris dhe se ai nuk kishte dijeni për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Sipas tij, ai vepronte vetëm si skaut profesionist dhe largohej menjëherë pas prezantimeve.
Megjithatë, disa gra kanë ngritur akuza të rënda. Modelja suedeze Ebba Karlsson pretendon se Siad e zbuloi në vitin 1990 dhe më pas e përdhunoi, akuzë që ai e mohon. Së fundmi, ajo ka paraqitur kallëzim penal në Paris për përdhunim dhe trafikim njerëzor. Një tjetër grua, e identifikuar në mediat franceze si “Malika”, ka deklaruar se Siad e prezantoi me Epstein në Paris në vitin 2013.
Avokatja e Siadit ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari kriminale, duke theksuar se klienti i saj nuk ka dënime të mëparshme dhe se shumë nga pretendimet janë jashtë afateve ligjore.
Dosjet sugjerojnë gjithashtu se autoritetet amerikane ishin informuar për rolin e Siad që në vitin 2016. Së fundmi, prokurorët francezë kanë njoftuar ngritjen e një ekipi magjistratësh për të analizuar provat që lidhen me shtetas francezë të përmendur në dokumente.
Korrespondenca e publikuar ofron një pasqyrë të detajuar mbi mënyrën se si organizoheshin kontaktet, pagesat dhe udhëtimet, ndërsa Epstein – i cili u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në paraburgim – mbante një rol aktiv në përzgjedhjen e vajzave që i prezantoheshin.


