Bota ndërkombëtare e modës dhe showbiz-it është tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e modeles spanjolle Cristina Perez Galchenko, vetëm 21 vjeçe.
Cristina ishte një emër në ngjitje në industrinë e modës dhe vajza e ish-portierit të njohur të futbollit spanjoll, Nacho Perez. Ajo u gjet e pajetë në banesën e saj në Caleta de Vélez, pranë Malagës.
Sipas raportimeve të Daily Mail, autoritetet lokale kanë përjashtuar për momentin çdo pistë kriminale, duke bërë me dije se vdekja e saj nuk konsiderohet e dyshimtë.
E lindur në Lanzarote, Cristina kishte ecur në pasarelat e qyteteve më të rëndësishme të modës si Londra, Madridi, Milano dhe Parisi, ndërsa kishte bashkëpunuar me marka të njohura si Stradivarius dhe kishte prezantuar koleksione për shtëpi mode prestigjioze si Versace dhe Louis Vuitton.
Një homazh prekës u organizua të enjten në mbrëmje nga komuniteti i modës dhe fotografisë. Graciela Suarez, drejtuese e eventeve të modës në Oviedo – qyteti ku Cristina nisi karrierën e saj – u shpreh: “Jam e shkatërruar”.
Trupi i saj pritet të transferohet në Asturias, në veri të Spanjës, ku do të mbahet ceremonia mortore. Deri më tani, prindërit e saj, Nacho Perez dhe Tatiana Galchenko, nuk kanë bërë reagime publike.
Reagimet prekëse kanë vërshuar edhe në rrjetet sociale. Fotografja Xana de Jesus shkroi: “Një yll do të shkëlqejë përgjithmonë në zemrat tona… Ti ishe dhe do të mbetesh gjithmonë një shembull.” Një mik tjetër e përshkroi Cristinën si “një engjëll”.
Në intervista të mëparshme, modelja kishte folur hapur për sfidat e profesionit, duke theksuar se ndërsa udhëtimet dhe njohja e kulturave të reja ishin pjesa më e bukur e karrierës, vetmia mbetej aspekti më i vështirë. Në momentin e ndarjes nga jeta, ajo po ndiqte një program trajnimi në Malaga.
Humbja e Cristinës ka lënë një boshllëk të madh në botën e modës dhe tek të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.


