Për shkak të punimeve që do të kryhen pas shembjes së një segmenti rrugor, aksi Librazhd–Korçë, në zonën e fshatit Dragostunjë, do të bllokohet përkohësisht për qarkullimin e automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, nga data 3 shkurt deri më 5 shkurt 2026, qarkullimi do të ndalohet gjatë intervalit kohor 22:00–05:00.
Gjatë këtyre orareve, aksi do të jetë i pakalueshëm për të gjitha mjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë. Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për të informuar drejtuesit e këtyre mjeteve mbi bllokimin e përkohshëm.
Gjatë bllokimit do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.
Si alternativë kalimi për mjetet e vogla, do të shërbejë aksi Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për mirëkuptim nga drejtuesit e mjeteve, respektimin e sinjalistikës dhe të udhëzimeve të Policisë, si dhe shmangien e lëvizjeve të panevojshme gjatë intervaleve të bllokimit.
Në rast nevoje apo për të denoncuar shkelje që pengojnë qarkullimin, qytetarët mund të telefonojnë 112 ose të kontaktojnë shërbimet e Policisë në terren.


