Pas protestës me pjesëmarrje të kufizuar që zhvilloi sot para Kryeministrisë, Sali Berisha pritet të vijojë lëvizjet brenda strukturave të Partisë Demokratike, duke zbritur nesër në bazë. Kreu i PD do të takohet me demokratët e degës nr. 9 në Tiranë, ku do të hapë një cikël të ri foltoresh të brendshme, të ngjashme me ato që ndërmori vite më parë kundër Lulzim Bashës.
Nisma për takime në bazë nuk do të kufizohet vetëm te Berisha. Edhe Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti do të zhvillojnë takime me strukturat lokale. Të mërkurën, Salianji do të jetë në Durrës për një diskutim me anëtarësinë për problematikat dhe çështjet aktuale të partisë.
Ndërkohë, në deklaratën e sotme, teksa lajmëroi vijimësinë e protestave, Berisha u fokusua kryesisht te akuzat ndaj kundërshtarit politik, pa u ndalur tek shqetësimet e brendshme të demokratëve.


