Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke zgjeruar masat kufizuese ndaj sektorëve që, sipas Brukselit, mbështesin ekonominë ruse dhe financimin e luftës në Ukrainë.
Paketa e re përfshin masa ekonomike që synojnë të dobësojnë aftësinë e Moskës për të vijuar agresionin ushtarak, ndërsa në listën e sanksioneve janë shtuar gjithsej 218 persona dhe subjekte, përfshirë 48 individë dhe 170 entitete. Sipas BE-së, ky është zgjerimi më i madh i listës së sanksioneve në katër vitet e fundit.
Brukseli argumenton se vendimi vjen si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse mbi infrastrukturën civile në Ukrainë, përfshirë objektet energjetike, rrjetet e furnizimit me ujë, institucionet shëndetësore dhe monumentet kulturore e fetare.
“Për ta detyruar Rusinë t’i japë fund luftës së saj të paligjshme dhe të ndalojë vrasjen e civilëve, duhet të ushtrohet presion. Sanksionet tona po e rrisin këtë presion”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaia Kallas.
Në sektorin financiar, Bashkimi Evropian ka vendosur ngrirjen e aseteve të 94 bankave dhe institucioneve të mëdha financiare ruse, si dhe të një zyrtari të lartë të sistemit bankar. Njëkohësisht, janë zgjeruar ndalimet e transaksioneve ndaj 33 institucioneve të tjera financiare ruse, ndërsa masa të reja janë vendosur edhe ndaj një banke në Kirgistan dhe tre bankave në vende të treta, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar në shmangien e sanksioneve përmes sistemit rus të pagesave SPFS.
Për herë të parë, sanksionet prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe sektorin e kriptomonedhave. Katërmbëdhjetë platforma me seli jashtë BE-së janë futur në listën e zezë, ndërsa blloku evropian ka parashikuar mundësinë e ndalimit të plotë të transaksioneve me ofrues të huaj të shërbimeve të kriptoaseteve që përdoren për të anashkaluar kufizimet.
Në fushën e energjisë, BE-ja ka zgjatur deri më 15 korrik 2027 pezullimin e mekanizmit të rregullimit automatik të tavanit të çmimit të naftës ruse në 41.10 dollarë për fuçi, duke argumentuar se paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare, e lidhur me zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, kërkon një qasje të kujdesshme.
Paketa e re forcon gjithashtu masat ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë. Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe 41 cisterna, duke e çuar në 673 numrin e përgjithshëm të anijeve të sanksionuara. Gjithashtu, masa kufizuese janë vendosur ndaj tetë kompanive dhe një individi të përfshirë në operimin e kësaj flote, si dhe ndaj 18 kompanive dhe një personi fizik që veprojnë në sektorin e naftës, përfshirë rafineri dhe kompani tregtare të akuzuara për shmangien e sanksioneve evropiane.
#Russia’s war of aggression vs #Ukraine: @EUCouncil agrees 21st package of individual & economic #sanctions targeting energy, finance & crypto and former combatants + listing over 218 persons/entities in the biggest batch in 4 years
— EU Council Press (@EUCouncilPress) July 23, 2026
👇https://t.co/2R07IskZtK#StandWithUkraine 🇺🇦


