Policia e Shtetit ka njoftuar se, për shkak të parashikimeve për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike, mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit duhet të shmangin daljet në det të hapur gjatë periudhës nga mesdita e datës 24 korrik 2026 deri në paraditen e 25 korrikut 2026.
Kufizimi vlen veçanërisht për mjetet që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, si dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, ku priten kushte të pafavorshme detare.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese të tregojnë kujdes të shtuar, të vlerësojnë situatën e motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Policia e Shtetit ka apeluar gjithashtu për kujdes nga qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.
Edhe këmbësorëve u kërkohet vëmendje e shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në rast reshjesh apo lagështie në rrugë.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe rrugore të tregojnë kujdes maksimal, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve.


