Bashkimi Evropian deklaroi sot se nuk ka marrë ende një qëndrim mbi projektamendamentet e Kodit të ri Penal dhe theksoi se procesi kërkon një konsultim të gjerë me të gjithë aktorët institucionalë dhe shoqërinë civile.
Në një reagim për median, Delegacioni i BE-së në Tiranë sqaroi se nuk ka marrë pjesë në hartimin e draftit, por është njoftuar për prezantimin e tij nga grupi i ekspertëve të ngarkuar nga qeveria.
“Rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks me ndikim afatgjatë në shoqëri dhe sistemin e drejtësisë. Është thelbësore të sigurohet një konsultim gjithëpërfshirës me institucionet kyçe të drejtësisë, aktorët e shtetit të së drejtës dhe shoqërinë civile për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet,” thuhet në deklaratë.
BE kujtoi gjithashtu se si pjesë e negociatave për anëtarësim, Shqipëria duhet të përafrojë një sërë dispozitash të Kodit Penal me standardet dhe legjislacionin e BE-së.
“Në afat të shkurtër, Shqipëria duhet të prioritizojë ndryshimet që lidhen me standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë asistencë teknike për këtë proces,” përfundon reagimi i Delegacionit.


