Komisioni Evropian miratoi një paketë financiare për Malin e Zi, me vlerë prej gati 3.2 miliardë eurosh.
Së bashku me vendimin për nisjen e hartimit të Traktatit të Anëtarësimit, ky konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme për Malin e Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi përfaqëson përgatitje konkrete financiare për anëtarësimin në bllok.
“Paketa e sotme është një tjetër hap konkret drejt së ardhmes së Malit të Zi në Unionin tonë. Po përgatisim Malin e Zi, shtetet anëtare dhe institucionet tona, sepse zgjerimi ka sukses vetëm kur është një projekt i përbashkët evropian, i ndërtuar mbi merita, përkushtim dhe besim”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se kjo paketë përfaqëson përmbushjen e angazhimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa Mali i Zi vazhdon zbatimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit.
“Kjo do ta bëjë kalimin e Malit të Zi nga një vend kandidat në një shtet anëtar sa më të lehtë që është e mundur. Do të sigurojë vazhdimësi që nga dita e parë e anëtarësimit”, tha Kos.
Sipas Komisionit Evropian, qëllimi i paketës është ta përgatisë Malin e Zi për pjesëmarrje të plotë në buxhetin dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Kjo nënkupton se, menjëherë pas anëtarësimit, Mali i Zi do të mund të përfitojë nga fondet evropiane njësoj si shtetet e tjera anëtare, ndërsa, në të njëjtën kohë, do të nisë të kontribuojë në buxhetin e përbashkët të BE-së.
Në këtë mënyrë synohet të shmangen ndërprerjet në financim dhe të lehtësohet kalimi administrativ nga statusi i vendit kandidat në atë të shtetit anëtar.
Paketa bazohet në supozimin se Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028
Paketa financiare është hartuar mbi bazën e propozimit për buxhetin e ri shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034.
Llogaritjet janë bërë duke u nisur nga supozimi se Mali i Zi do të anëtarësohet në BE në vitin 2028.
Paketa është pjesë e negociatave në kuadër të Kapitullit 33, që ka të bëjë me dispozitat financiare dhe buxhetore dhe përcakton mënyrën se si një shtet i ri anëtar merr pjesë në buxhetin e Bashkimit Evropian.
Në këtë dokument, Komisioni Evropian vlerëson se sa fonde do të mund të përfitonte Mali i Zi nga programet e ndryshme të BE-së, sa do të kontribuonte në buxhetin e përbashkët dhe cili do të ishte efekti i përgjithshëm financiar i anëtarësimit të tij.
Propozimi i është dërguar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do të shërbejë si bazë për negociatat me Malin e Zi në kuadër të Kapitullit 33.
Qëllimi i Komisionit është të sigurojë një kalim sa më të lehtë financiar, nëse Mali i Zi bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028, duke kufizuar njëkohësisht ndikimin në buxhetet e shteteve ekzistuese anëtare.
Për këtë arsye, në qarqet diplomatike thuhet jozyrtarisht se anëtarësimi i Malit të Zi do t’u kushtonte qytetarëve të Bashkimit Evropian më pak se një euro në vit për kokë banori.
Mali i Zi: Dy vendime të rëndësishme nga BE-ja
Për Qeverinë e Malit të Zi, ky është një nga dy vendimet më të rëndësishme që Bashkimi Evropian ka marrë deri më tani në favor të këtij vendi.
“Mali i Zi është i vetmi vend kandidat i përfshirë në këtë parashikim buxhetor – çka përbën një sinjal të fortë politik se Bashkimi Evropian e sheh atë si anëtarin e ardhshëm”, tha për Radion Evropa e Lirë ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.
Sipas saj, BE-ja po i planifikon qysh tani fondet që Mali i Zi do të mund t’i përdorë si shtet anëtar, në mënyrë që kalimi nga fondet e para-anëtarësimit te fondet e rregullta evropiane, të bëhet sa më lehtë dhe pa ndërprerje në financimin e projekteve zhvillimore dhe reformuese.
“Ky planifikim tregon se Bashkimi Evropian nuk po përgatitet vetëm për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, por edhe për anëtarësimin e tij të suksesshëm, duke njohur rezultatet konkrete të reformave që po zbaton kjo qeveri dhe përparimin që vendi ka arritur në procesin e integrimit evropian”, tha Gorçeviq.
Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të kishte kosto minimale
Sipas njohësve të procesit të integrimit evropian, paketa financiare tregon se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të kishte një kosto shumë të vogël për qytetarët e BE-së.
“Kjo paketë tregon qartë se sa e vogël është kostoja për Bashkimin Evropian nga anëtarësimi jo vetëm i Malit të Zi, por edhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, përparimi i shpejtë dhe i suksesshëm i Malit të Zi do të dëshmonte se Bashkimi Evropian, pavarësisht skepticizmit dhe vështirësive me të cilat përballet, ende mund ta ringjallë politikën e zgjerimit”, tha për Radion Evropa e Lirë Peter Zherjaviç, korrespondent nga Brukseli për gazetën sllovene, Delo.
Duke kujtuar zgjerimin e madh të Bashkimit Evropian në vitin 2004, kur në një ditë u anëtarësuan dhjetë shtete, Zherjaviç vlerësoi se hyrja e Malit të Zi në BE mund të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit, falë fondeve të konsiderueshme që do të vihen në dispozicion nga buxheti evropian.
“Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të kontribuonte edhe në forcimin e pozitës së tij si pjesë e hapësirës politike dhe të sigurisë së Perëndimit”, tha ai./REL


