Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi një 25-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Dyshohet se ajo përballej prej kohësh me dhunë nga partneri i saj.
Familjarët e të resë kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr.2 në Tiranë ndaj bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi, duke pretenduar se ai ushtronte dhunë ndaj saj. Sipas burimeve, në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune, fakt që është konfirmuar edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Pas denoncimit, Policia e Tiranës e ka shpallur në kërkim bashkëshortin, i dyshuar për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”. Forcat e policisë kanë kryer kontrolle edhe në banesën e tij në Lezhë, por ai nuk është gjetur. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij, pasi pritet të merret në pyetje lidhur me akuzat e ngritura nga familjarët e viktimës.
Para se të ndërronte jetë, 25-vjeçarja kishte lënë një letër ku i kërkonte ndjesë prindërve dhe shprehte dhimbjen për situatën që po përjetonte. Në të, ajo shkruante se nuk dëshironte më të vazhdonte të lëndohej nga personat që e rrethonin.
Xhuana Nikollaj jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet në drejtësi. Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku miq dhe të njohur kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen e parakohshme të saj.


