Punimet për ndërtimin e Bajpasit të Tiranës po ecin me ritme të mira, ndërsa deri më tani është realizuar mbi 30% e punimeve fizike. Projekti, me gjatësi 21 kilometra, është një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend dhe parashikon ndërtimin e një rruge të kategorisë A (rrugë ndërurbane kryesore).
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në terren.
Sipas ministrit Karakaçi, Bajpasi i Tiranës është një projekt strategjik që do të lidhë autostradën Milot-Thumanë-Kashar me segmentin Kashar–Lekaj, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, si dhe autostradën Durrës-Tiranë me Tiranë-Elbasan, pjesë e Korridorit VIII. Projekti synon gjithashtu të shmangë trafikun tranzit nga qendra e kryeqytetit.
Ai theksoi se në projekt janë parashikuar edhe rrugë lokale për të garantuar aksesin e banorëve dhe bizneseve në të dyja anët e segmentit.
Ndërkohë, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se punimet po zhvillohen sipas planit dhe se synohet përfundimi i tyre edhe përpara afatit të kontratës. Projekti përfshin ndërtimin e urave, tombinove, kanaleve kulluese dhe mureve mbajtëse, ndërsa në të dy fazat e kantierit puna vijon paralelisht për trupin e rrugës dhe veprat e artit.


