I riu Kevin Hajrulla që ra pre e një atentati mafioz mbrëmjen e 18 dhjetorit në Vlorë, është transportuar gjatë natës për në Tiranë, në spitalin e Traumës pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burimet thanë për Radar.al se drejt 30-vjeçarit, Kevin Hajrulla janë qëlluar mbi 30 plumba, por nuk dihet sa plumba e kanë kapur në trup.
Policia në njoftimin zyrtar të saj tha se “rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes. Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve”.
Pas ngjarjes, “gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët”.
“Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes”, deklaroi policia.
Radar.al mëson se Kevin Hajrulla u qëllua nga një makinë në lëvizje teksa po parkonte mjetin e tij tip ‘Benz’ në lagjen Çole të Vlorës.
Deri tani dyshohet se autorët ishin 3, dy qëlluan me armë, njëri ishte shofer.
Policia nga dje deri në orët e para të mëngjesit sot po ushtron kontrolle në disa banesa në qytetin bregdetar.
30-vjeçari është kushëri i Inez Hajrullës, i njohur ndryshe edhe si i forti i Vlorës.


