Policia e Shtetit ka goditur një rast të përhapjes së materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur, duke vënë në pranga një 29-vjeçar nga Tirana.
Shtetasi M.Z., 29 vjeç, është arrestuar për veprën penale “Pornografia me të mitur”, pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, i cili synon goditjen e shfrytëzimit seksual të të miturve në internet.
Ky operacion ndërkombëtar është drejtuar nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), me mbështetjen e EUROPOL-it, dhe me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese nga 35 shtete, përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i 29-vjeçarit u bë pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore gjermane dhe EUROPOL-i, që çuan në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë së tij të paligjshme.
Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi në internet mbetet një prioritet dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes apo konsumimit të materialeve pornografike me të mitur në kanalet zyrtare të komunikimit:
Email: CC@asp.gov.al
Telefon: +355 69 415 5552
Portali online: https://asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik/
Policia garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm për çdo sinjalizim që lidhet me abuzimin apo shfrytëzimin e të miturve në internet.


