Një operacion i befasishëm i Policisë së Fierit ka çuar sot në arrestimin e dy drejtuesve të kompanisë së njohur naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”. Në pranga kanë përfunduar CEO aktual i kompanisë, shtetasi me kombësi kineze Hongping Xiao, dhe ish-drejtuesi Leonidha Çobo.
Sipas burimeve, oficerët e policisë kanë ndërhyrë me forcë në zyrat qendrore të kompanisë në Fier, ndërsa në ambientet e brendshme janë parë edhe përfaqësues të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të cilët po shoqëronin veprimet e operacionit.
Bankers Petroleum është akuzuar më herët për mospagesë të detyrimeve fiskale ndaj shtetit, një çështje që ka qenë objekt verifikimi nga institucionet tatimore. Përveç problemeve financiare, kompania është përballur edhe me kritika të vazhdueshme për ndotje mjedisore në zonat naftënxjerrëse, ku banorët dhe organizatat lokale kanë ngritur shqetësime për mungesën e respektimit të standardeve mjedisore.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për akuzat konkrete që rëndojnë mbi të arrestuarit, por burime konfirmojnë se veprimet po zhvillohen në kuadër të një hetimi të thelluar për shkelje të mundshme ligjore në fushën ekonomiko-financiare dhe të mjedisit.


