Organizatorët e Festivalit Europian të Këngës, Eurovision, kanë pezulluar takimin online të planifikuar për në nëntor, ku do të vendosej për pjesëmarrjen e Izraelit në garën e vitit 2026. Vendimi vjen pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU), çështja do të shtyhet për në Asamblenë e Përgjithshme të Dimrit, që pritet të zhvillohet në dhjetor. Diskutimet do të bëhen personalisht mes anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv, në vend të takimit të jashtëzakonshëm online të planifikuar më herët.
Eurovision është përballur me debate të forta gjatë këtij viti, pasi disa vende kishin paralajmëruar bojkot nëse Izraeli lejohej të merrte pjesë, për shkak të luftës dyvjeçare në Gaza.
Austria, e cila do të presë konkursin e vitit 2026 në Vjenë, kishte bërë thirrje që vendet pjesëmarrëse të mos e politizonin garën dhe të mos bojkotonin përfshirjen e Izraelit.
EBU nuk ka njoftuar ende një datë të re për votimin mbi pjesëmarrjen e transmetuesit izraelit KAN, duke theksuar se detajet e tjera do të publikohen në javët në vijim.


