Deputeti i Partisë Socialiste, Arkend Balla, ka vlerësuar zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri, duke theksuar se vendi po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe po forcon pozitat e tij në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Sipas Ballës, Shqipëria ka kaluar nga rreth 2 milionë turistë disa vite më parë në mbi 12 milionë vizitorë në vit, një zhvillim që sipas tij ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e punësimit, investimeve dhe të ardhurave për qytetarët.
“12 milionë turistë. Kjo është Shqipëria sot. Një histori suksesi që ka sjellë më shumë punë, më shumë të ardhura dhe më shumë mundësi për qytetarët. Një zhvillim që nuk duhet të ndalet”, u shpreh Balla.
Deputeti socialist e cilësoi këtë rritje si tregues të transformimit që ka pësuar vendi në vitet e fundit, duke nënvizuar se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në hartën e destinacioneve turistike ndërkombëtare.
Sipas tij, zhvillimi i turizmit po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, me ndikim të drejtpërdrejtë në bizneset lokale, sektorin e shërbimeve dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.
Balla theksoi se ruajtja e këtij ritmi zhvillimi mbetet një sfidë dhe një mundësi për të vazhduar promovimin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues në rajon dhe më gjerë.


