Reshjet intensive që kanë përfshirë ditën e sotme qarkun e Fierit kanë rritur ndjeshëm prurjet në lumenjtë e zonës, duke krijuar situatë të vështirë sidomos në urën e Mifolit. Edhe pse në Memaliaj raportohet për ulje të nivelit të Vjosës, këtu panorama është krejt tjetër.
Matjet më të fundit tregojnë se niveli i lumit ka arritur në 8.2 metra, një rritje e ndjeshme që e çon zonën drejt pragut të rrezikut. Nëse prurjet vijojnë me këtë ritëm, pritet që uji të ngrihet edhe më shumë, duke rrezikuar zonat e ulëta përreth, tokat bujqësore dhe disa banesa pranë brigjeve.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për çdo mundësi përkeqësimi.


