Pas shpërthimit të murtajës së bagëtive, qarku i Dibrës po përballet me një tjetër kërcënim shëndetësor: Brucelozën. Dy raste të konfirmuara janë regjistruar në Njësitë Administrative Kastriot dhe Muhurr, ku dy familje janë vendosur në izolim.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe nuk përbën rrezik të përhapur, pasi janë marrë masa të menjëhershme për asgjësimin e kafshëve të infektuara dhe për ndjekjen mjekësore të familjarëve dhe personave që kanë pasur kontakt me ta.
“Të gjitha analizat janë kryer dhe ka nisur trajtimi i rasteve. Situata mbetet e izoluar, por i bëjmë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë shenjat klinike të sëmundjes,” u shpreh prefekti Shehu.
Bruceloza është një sëmundje ngjitëse që transmetohet te njerëzit përmes konsumimit të qumështit të papasterizuar, mishit të papjekur ose kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara. Simptomat përfshijnë ethe, djersitje me erë të rëndë, lodhje të përgjithshme, humbje oreksi, dhimbje muskulore dhe artikulare, dhimbje koke dhe probleme me tretjen.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe për raportimin e çdo rasti të dyshuar pranë strukturave veterinare dhe shëndetësore.


