TIRANË– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Bazuar në njoftimin zyrtar të Policisë bëhet me dije se në orët e para të mëngjesit të datës, 22.08.2024 në autostradën Tiranë-Durrës, një 18-vjeçar i identifikuar si Arlis Troplini, teksa ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen’, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal.
I riu është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 22.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. T., 18 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Drejtuesi i mjetit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë më pas.
Viktima është Arlis Troplini, djali i biznesmenit Fatos Troplini, pronar i restorantit “Troplini” që ndodhet pranë Vollgës në qytetin e Durrësit. 18-vjeçari ka qenë gjithashtu student në një universitet privat në Kryeqytet, i cili ka ndarë dhe një mesazh ngushëllimi për vdekjen e parakohshme të studentit të tyre.
“Mesazh Ngushëllimi! Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të jetës të studentit tonë Arlis Troplini.
Ndarja nga jeta e Arlisit është një humbje e madhe për familjen e tij, shokët, miqtë dhe për të gjithë familjen e madhe të Universitetit Ëestern Balkans. Arlisi la një dhimbje të madhe tek njerëzit e tij më të dashur. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Arlisit. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju!”- shkruhet në mesazhin e Western Balkans University.
Paraditen e kësaj të premteje 18-vjeçari i ndjerë është përcjellë për në banesën e fundit.



