Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është shënuar mbrëmjen e sotme në qarkun e Gjirokastrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:55, në aksin rrugor “Dhëmblan–Tepelenë”, në vendin e quajtur “Ura e përroit”, pranë kthesës që të çon drejt fshatit Salari, Njësia Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip furgon (kamioçinë), që drejtohej nga shtetasi Arjan Çela, rreth 50 vjeç, banues në fshatin Dhëmblan, ka dalë nga rruga mbi urë dhe është përmbysur. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën në vendngjarje.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar faktorët që çuan në daljen nga rruga të automjetit.


