Princi iranian Reza Pahlavi e ka përqendruar konferencën e tij të fundit për shtyp te apeli për ndihmë ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, për të përshpejtuar atë që ai e cilëson si rrëzimin e afërt të regjimit në Iran.
“Populli iranian e do Amerikën dhe e urren këtë regjim. Pas rënies së tij, marrëdhëniet do të jenë krejtësisht të ndryshme”, u shpreh Pahlavi, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në këtë proces.
Në këtë kontekst, ai propozoi edhe një marrëveshje paqeje mes “një Irani të lirë” dhe Izraelit, të ngjashme me Marrëveshjet e Abrahamit, të ndërmjetësuara nga Donald Trump mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas tij, kjo nismë e re mund të quhet “Marrëveshjet e Kirit”.
I pyetur nga gazetarët nëse po zhvillonte takime me të dërguarin special të Trumpit, Steve Witkoff, Pahlavi shmangu dhënien e detajeve, duke theksuar se kontaktet e tij janë “të ndjeshme” dhe nuk mund të diskutohen publikisht.
“Megjithatë, mund t’ju them se ekziston një mbështetje e fortë për popullin iranian”, tha ai.
Duke iu referuar presidentit amerikan, Pahlavi shtoi: “Unë besoj se presidenti Trump është njeri i fjalës së tij dhe se në fund ai do të qëndrojë me popullin iranian, ashtu siç ka premtuar”.
Më herët, Donald Trump ka deklaruar se “ndihma është duke ardhur” për protestuesit iranianë, duke u bërë thirrje atyre që të marrin kontrollin e institucioneve qeveritare.


