Një ditë e trishtë për familjen Dini. Këngëtarja Barbana Dini ka ndarë me ndjekësit lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të babait të saj, një figurë shumë të dashur dhe të rëndësishme për të.
Përmes një mesazhi rrëqethës në rrjetet sociale, Barbana shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e prindit, duke e cilësuar si heroin dhe mësuesin më të mirë të jetës.
“Ahhhh BAB… ishe heroi im, shoku im më i mirë. Një njeri i madh, që le një boshllëk të pamatë tek të gjithë ne…”, shkruan këngëtarja, ndërsa në fund të dedikimit të saj emocionues, i drejtohet me një lutje të ndjerë:
“Përqafoje fort Ergin!”, duke kujtuar edhe të vëllanë, këngëtarin Ergi Dini, që humbi jetën në një aksident tragjik disa vite më parë.
Ndër mesazhe ngushëllimi dhe mbështetjeje nga ndjekës e miq, postimi i Barbanës prek zemrat e publikut, që ndan me të dhimbjen e kësaj humbjeje të dyfishtë për një familje tashmë të goditur nga tragjedia.


