Adriana Kalaja ka njoftuar sot dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet brenda Partisë Demokratike, përfshirë detyrën e Kryetares së Gjykatës së PD-së dhe anëtares së Këshillit Kombëtar.
Në një postim publik, Kalaja shprehet se vendimi vjen pas një periudhe përkushtimi në mbrojtje të statutit të partisë dhe të parimeve demokratike, por edhe në kuadër të një angazhimi të ri — kandidaturës së saj për postin e Avokatit të Popullit.
“E ndjej detyrim moral të njoftoj vendimin për të shpallur kandidaturën time për pozicionin e Avokatit të Popullit,” shkruan Kalaja. “Qëllimi im është të kontribuoj profesionalisht dhe qytetarisht në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të individëve, siç e përcakton Kushtetuta.”
Ajo falënderon mbështetësit për besimin ndër vite dhe u kërkon ndjesë atyre që mund të kenë pasur mospërputhje qëndrimesh me të, duke theksuar se gjithmonë është përpjekur të veprojë me moral dhe përkushtim ndaj kauzave qytetare.
Kalaja, e njohur për angazhimin e saj aktiv në protestat opozitare deklaron se pavarësisht rezultatit të procesit për Avokatin e Popullit, do të vazhdojë betejën e saj për të drejtat dhe drejtësinë.
“Nuk e di si do të shkojë procesi i votimit, por di që nuk do heq dorë nga ajo që di të bëj më mirë,” përfundon ajo mesazhin e saj.

