Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, poetit dhe gjuhëtarit të shquar Martin Camaj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit organizuan aktivitetin me temë “100-vjetori i Martin Camaj në kujtesën kolektive”.
Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, e cilësoi Camajn si një figurë të shumëdimensionale që ndikoi thellë në letërsinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
“Martin Camaj ishte autor modern, me përmasa të mëdha, që jetoi mes shumë kulturash dhe mbeti në konflikt të hapur me regjimin monist. Ai ishte profesor i nderuar në Mynih dhe kontribuoi për çështjen kombëtare”, – u shpreh Bardhyli.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Enkeleida Kapia, shefe e Katedrës së Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilians të Mynihut, e cila vuri theksin te trashëgimia letrare e Camajt dhe te letërkëmbimi i tij me Arshi Pipën, si dëshmi e mendimit shqiptar në mërgim.
“Në letrat e tyre shfaqet dhimbja për mënyrën se si Tirana e kohës i përjashtonte. ‘Tirana’ në to është më shumë se një qytet — është kujtesa e shtypjes, ndërsa ‘Shqipnia’ është hapësira ku fjala mund të jetë e lirë,” – tha Kapia.
Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit ishte prezantimi i dosjes hetimore të Martin Camajt, e bërë publike për herë të parë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Sipas raportimit përfundimtar të këtij institucioni, nuk ekziston asnjë provë që Martin Camaj ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit.
“Tentativa për ta marrë në bashkëpunim është bërë nën presionin e arrestit, si pjesë e praktikave standarde të kontrollit të intelektualëve me ndikim. Nuk ka asnjë dokument që vërteton se ai ka dhënë informacion apo ka bashkëpunuar. Përkundrazi, pas arratisjes, Camaj iu përkushtua plotësisht fushës akademike dhe kulturore,” – deklaroi Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit.
Martin Camaj (1925–1992), poet, studiues dhe profesor në Mynih, mbetet një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe moderne. Autor i veprave si “Djella”, “Rrathë”, “Loja mbasdrekës”, “Kandili argjandi” dhe “Dranja”, Camaj e kaloi jetën në mërgim, por mbeti gjithmonë i lidhur shpirtërisht me Shqipërinë.


